Lajme

Deportohet nga Spanja një shqiptar i dënuar për veprimtari terroriste, finalizohet operacioni “Deportimi”

Një shtetas shqiptar i dënuar për veprimtari me qëllime terroriste është deportuar nga Spanja drejt Shqipërisë, si rezultat i një operacioni të koduar “Deportimi”, i finalizuar nga Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Policisë së Shtetit dhe autoritetet spanjolle.

I deportuari është Kreshnik Haxhiaj, 39 vjeç, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar pasi ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në vitin 2024 me 4 vjet e 6 muaj burgim. Ai akuzohet për veprën penale të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Operacioni u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe spanjolle për identifikimin dhe kthimin e personave të kërkuar për vepra të rënda penale.

Pas mbërritjes së Haxhiajt në Shqipëri, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila pritet të ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore.

Ky operacion është një tjetër sinjal i bashkëpunimit të frytshëm ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe sjelljes para drejtësisë të personave të dënuar për rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button