Denoncim në një kopsht privat në Tiranë: Prindi akuzon stafin e “BUCKO” për neglizhencë dhe fshehje të dhunës ndaj fëmijës

Një prind ka depozituar një kallëzim zyrtar pranë Komisariatit të Policisë, duke denoncuar një ngjarje të rëndë që, sipas tij, ka ndodhur në kopshtin privat “BUCKO” në Tiranë. Sipas denoncimit, fëmija i tij është sulmuar për dy ditë me radhë nga një tjetër fëmijë në ambientet e institucionit, ndërsa stafi pedagogjik dhe drejtuesit dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar dhunën dhe kanë tentuar të fshehin incidentin.
Familjarët janë njoftuar vetëm pasi kanë vënë re shenja fizike në trupin e fëmijës. Kur kanë kërkuar sqarime nga drejtuesit e kopshtit, atyre u janë treguar vetëm pjesë të përzgjedhura të pamjeve të kamerave të sigurisë.
Më tej, prindi pretendon se gjatë një momenti tensioni me stafin, është filmuar fshehurazi nga punonjësit e institucionit, çka ka shtuar më shumë dyshimet mbi mënyrën e trajtimit të ngjarjes.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin e prindërve, ndërsa hetimet nga ana e Policisë janë në vijim.