Dënohet me gati 5 vjet burg Millosh Antoviq për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 11 muaj burgim dhe 20 mijë euro gjobë të akuzuarin Millosh Antoviq, lidhur me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, gjatë vitit 2023.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga gjykatësi Valon Kurtaj, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të gjykatës, Antoviq u dënua me:
- 2 vjet burgim për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”,
- 3 vjet burgim për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”,
- 6 muaj burgim për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”, i cili u zëvendësua me 18 mijë euro gjobë,
- 2 mijë euro gjobë për “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Gjykata vendosi dënim unik prej 4 vjet e 11 muaj burgim dhe 20 mijë euro gjobë, e cila do të paguhet me këste brenda dy vitesh. Në këtë dënim përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Gjithashtu, gjykata urdhëroi konfiskimin e armës, telefonit dhe narkotikëve të sekuestruara nga Antoviq, ndërsa ai është i obliguar të paguajë edhe 150 euro për shpenzimet e paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.