Kosova

Dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte ish-pjesëtari i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Sllavisha Filiq

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 15 vjet burgim, në mungesë, Sllavisha Filiqin, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, ndërsa procesi gjyqësor u zhvillua në mungesë të të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Filiq, në cilësinë e pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, më 10 prill 1998, së bashku me dy zyrtarë të tjerë të paidentifikuar, kishte ndaluar një veturë në Drenas, ku ndodheshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe mjeku Hafir Shala. Sipas aktakuzës, pas legjitimimit, të akuzuarit kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë.

Atje, sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, doktori Shala ishte rrahur dhe torturuar, dhe që nga ajo ditë nuk dihet më për fatin e tij. Për këto veprime, Filiq u ngarkua me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

Gjykatësja Namani-Hajra deklaroi se dënimi do të ekzekutohet kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Ndërkohë, i pandehuri është obliguar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 200 euro si paushall gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Kujtojmë se aktakuza ndaj Sllavisha Filiq ishte ngritur më 15 shtator 2023 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button