Kosova

Dënohen tre persona për sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq dhe Aleksander Vlajiq, të akuzuar për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut, që ndodhi më 6 dhjetor 2022.

Milun Milenkoviq dhe Aleksander Vlajiq janë shpallur fajtorë për kryerjen e veprës penale terroriste dhe janë dënuar me nga 5 vjet burgim secili, në të cilin do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Milenkoviqit i vazhdohet masa e paraburgimit.

Ndërkohë, Dejan Pantiq është shpallur fajtor për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, pasi iu ricilësua aktakuza, dhe është dënuar me 2 vjet burgim, gjithashtu me përfshirjen e kohës së kaluar në paraburgim.

I akuzuari i katërt, Miomir Vakiq, është liruar nga të gjitha akuzat dhe nga shpenzimet e procedurës penale.

Gjykata i obligoi tre të dënuarit të paguajnë nga 200 euro për shpenzimet e procedurës dhe nga 100 euro në fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Komisioni Komunal Zgjedhor është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta ndjekë përmes kontestit civil. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës, më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, të akuzuarit kishin hedhur granata dore dhe shok bomba në drejtim të zyrave të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm dhe frikë te punonjësit dhe banorët e zonës.

Arrestimi i Dejan Pantiq më 10 dhjetor 2022 në pikën kufitare në Jarinjë kishte shkaktuar reagime të ashpra nga pala serbe, përfshirë vendosjen e barrikadave në veriun e Kosovës.

Ndaj të katër të akuzuarve ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 13 dhjetor 2023, ndërsa në seancën e parë gjyqësore të mbajtur më 30 janar 2024, të gjithë ishin deklaruar të pafajshëm.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button