Sport

Deni Avdija: “Izraeli është prioriteti im më i madh” – Gati të udhëheqë kombëtaren në EuroBasket 2025

Deni Avdija, ylli 24-vjeçar i NBA-së me shtetësi izraelite dhe serbe, do ta përfaqësojë Izraelin në Kampionatin Evropian të Basketbollit – EuroBasket 2025, që nis pas disa javësh.

Basketbollisti i Portland Trail Blazers, i lindur nga një baba shqiptar nga Kosova dhe një nënë izraelite, është gati të udhëheqë kombëtaren izraelite në sfidën e radhës kontinentale. Deni është djali i Zufer Avdijës, ish-basketbollistit të njohur nga Prishtina që shkëlqeu me Elektrokosovën dhe Cërvena Zvezdën përpara se të vendosej në Izrael.

I pyetur për angazhimin e tij me kombëtaren, Avdija është shprehur pa mëdyshje:
“Tani për tani, Izraeli është prioriteti im më i madh. Është nderi më i madh për një basketbollist. Dua të jap gjithçka për këtë ekip dhe besoj se mund të arrijmë larg në EuroBasket.”

Avdija, që më parë ndihmoi Izraelin të fitojë Kampionatin Evropian U20 në vitin 2019, e cilëson trajnerin Ariel Beit Halahmy si një figurë kyçe në zhvillimin e tij si sportist. Ai beson se eksperienca dhe talenti i skuadrës izraelite mund të sjellë rezultate edhe më të mira këtë vit.

“Kemi një ekip të talentuar dhe staf të shkëlqyer. Besojmë te vetja,” tha basketbollisti që mbetet një prej shpresave më të mëdha të basketbollit izraelit në arenën ndërkombëtare.

Përfaqësimi i tij në EuroBasket 2025 pritet me entuziazëm nga tifozët izraelitë dhe adhuruesit e basketbollit në përgjithësi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button