Delegacioni i OVL-UÇK-së pritet nga ambasadori bullgar Hristo Kraevski

Sot, delegacioni i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) u prit në Ambasadën e Bullgarisë nga ambasadori Hristo Kraevski.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e OVL-UÇK-së shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë në periudhat kyçe për Kosovën – që nga koha e luftës, pjesëmarrja në misionin paqeruajtës të KFOR-it, e deri te kontributi për zhvillimin institucional dhe shtetndërtimin.
Në njoftimin e tyre, OVL-UÇK tha se me ambasadorin u diskutua edhe për shqetësimet lidhur me proceset në Dhomat e Specializuara.
“Ne theksuam nevojën që këto procese të jenë të drejta, të paanshme dhe të bazuara në të vërtetën. Nga Bullgaria, si mike e Kosovës dhe partnere e besueshme, kërkuam që të përdorë ndikimin e saj për të mbrojtur drejtësinë dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare”, thuhet në komunikatë.