Kosova

Daut Haradinaj: Arrestimi i Arbnor Spahiut nga Serbia është kidnapim politik – Takimet bilaterale duhet të ndalen derisa të lirohet

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas një muaji nga arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, duke e cilësuar këtë si një akt të pastër politik dhe një formë të kidnapimit nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit.

Haradinaj deklaroi se Serbia po vepron ende me “mendësinë e vjetër” dhe po shkel çdo normë ndërkombëtare dhe të drejtë njerëzore. Ai theksoi se takimet bilaterale me Serbinë nuk duhet të vazhdojnë pa u liruar në mënyrë të pakushtëzuar Spahiu.

“Ky arrestim përbën një kidnapim të mirëfilltë nga shteti serb, më saktësisht nga regjimi i Vuçiqit. Serbia sillet si një shtet i vetë-kapur nga kasta e vjetër që operon me logjikën e dhunës politike”, tha ai në reagimin e tij.

Deputeti i AAK-së u bëri thirrje institucioneve të sigurisë dhe ish-ushtarëve të UÇK-së që të shmangin udhëtimet përmes Serbisë, për shkak të rreziqeve të vazhdueshme që paraqet ky shtet për qytetarët e Kosovës.

Ai kërkoi gjithashtu një qëndrim të prerë institucional, duke e konsideruar çështjen si një test për sovranitetin dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button