Dasmorët gjobiten për bllokim të rrugës në Prizren

Policia e Kosovës ka gjobitur organizatorët e një dasme në rrugën “Alush Kryeziu” në Prizren, pasi të dy shiritat e qarkullimit ishin bllokuar jashtë orarit të lejuar.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 16:40, kur qytetarë të indinjuar kanë paraqitur një ankesë për bllokimin e rrugës nga një gazmend familjar.
Sipas njoftimit të Policisë, njësiti patrullues i Stacionit Policor të Prizrenit ka intervenuar në vendin e ngjarjes dhe ka identifikuar personin përgjegjës. Ky i fundit ka prezantuar një leje komunale për përdorim të njërës korsi të rrugës nga ora 09:30 deri në 10:30 të mëngjesit.
“Megjithatë, rruga ishte bllokuar në tërësi dhe jashtë afatit të lejuar”, thuhet në komunikatën e policisë.
Për shkak të shkeljes së kushteve të lejes, policia ka shqiptuar një gjobë prej 300 euro ndaj organizatorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe ka liruar rrugën për qarkullim të rregullt të automjeteve.