Darwin Nunez i gatshëm të largohet nga Liverpooli, drejt Arabisë Saudite

Sulmuesi uruguaian Darwin Nunez po afron drejt një transferimi surprizë nga Liverpooli në Arabinë Saudite. Pas dy sezonesh me shumë sfida në Premierligë, sulmuesi i lindur në vitin 1999 është pranë një marrëveshjeje me klubin e njohur Al Hilal nga Rijadi, i drejtuar nga trajneri Simone Inzaghi.
Sipas mediave italiane Nunez ka pranuar një ofertë prej 20 milionë eurosh në vit nga klubi saudit, ndërsa Liverpooli po kërkon rreth 53 milionë euro për transferimin, me bonuset që mund ta çojnë shumën deri në 60 milionë euro. Bisedimet janë në fazë të avancuar dhe trajneri Inzaghi po përpiqet personalisht ta bindë sulmuesin uruguaian, duke e konsideruar atë si përforcimin ideal për repartin ofensiv.
Ndërkohë që Nunez kishte oferta edhe nga klube evropiane, përfshirë interesimin e Milanit, ai duket i vendosur të nisë një kapitull të ri në Saudi Pro League, duke lënë pas një periudhë me pak momente lavdie dhe shumë vështirësi në Liverpool.
Ky transferim mund të jetë një nga lëvizjet më të bujshme të verës në tregun e futbollistëve.