Kosova

“Crisis Group”: Ngërçi politik mund t’i kushtojë Albin Kurtit, por ‘demonstrimi i forcës’ në veri mund t’i sjellë vota nacionaliste

Ngërçi i stërzgjatur në Parlament, pavarësisht fitores me përqindje të lartë në zgjedhjet e 9 shkurtit, mund të ketë pasoja për kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Sipas një analize të publikuar së fundmi nga organizata ndërkombëtare “International Crisis Group”, bllokada e krijimit të institucioneve të reja mund ta detyrojë Kosovën të shkojë në zgjedhje të reja – ndoshta që në pranverën e vitit 2026 – dhe kjo situatë mund ta dëmtojë politikisht Kurtin.

Megjithatë, raporti thekson se Kurti mund të kompensojë humbjen e mundshme të votave përmes një “demonstrimi të forcës” në veri të vendit, politikë që tërheq elektoratin me prirje nacionaliste.
“Paraliza në shtet mund ta dëmtojë Kurtin në zgjedhjet e ardhshme… Megjithatë, ai mund të shpresojë se pakënaqësia popullore do të zbutet nga demonstrimi gjithnjë e më i dukshëm i forcës ndaj pakicës serbe të Kosovës, veçanërisht në katër komunat më veriore”, thuhet në analizë.

Sipas “Crisis Group”, qeveria aktuale ka forcuar kontrollin mbi rajonin verior me shumicë serbe, duke dëbuar institucionet paralele serbe që kishin mbetur. Kjo politikë, sipas raportit, ka më shumë ndikim simbolik sesa përfitime konkrete për qytetarët, por forcon pozitat e Kurtit te votuesit nacionalistë.

Në analizë thuhet gjithashtu se qeveria e Kosovës po i trajton shfaqjet e hapura të identitetit kombëtar serb si “forma të gjuhës së urrejtjes kriminale”, duke e ndryshuar qasjen që kishin ndjekur qeveritë e mëparshme.
“Qeveritë e kaluara e kishin toleruar ambivalencën e shumë serbëve ndaj shtetit të Kosovës, duke e pranuar si kompromis për integrim. Por Kurti beson se shfaqjet e nacionalizmit serb tregojnë pretendime irredentiste ndaj Kosovës”, vlerëson raporti.

Në këtë kuadër, sipas “Crisis Group”, policia ka arrestuar edhe persona – madje edhe fëmijë – për valëvitje të flamurit serb ose mbajtje të veshjeve me slogane nacionaliste, ndërsa Serbia vepron në mënyrë të ngjashme ndaj flamurit shqiptar.
Raporti shton se edhe kritikat ndaj simboleve apo deklaratave nacionaliste shqiptare po trajtohen si vepra penale, duke përmendur rastin e një zyrtari serb të akuzuar për “nxitje të urrejtjes etnike” pas fjalës së tij ku UÇK-në e quajti “terroriste”.

“International Crisis Group” është një organizatë ndërkombëtare që monitoron konfliktet dhe tensionet politike në botë. Me ekipe në terren, përfshirë Kosovën, ajo bashkëpunon me aktorë ndërkombëtarë për të parandaluar dhe zgjidhur krizat përmes ndërhyrjeve diplomatike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button