Lajme

Costa rrëzon propagandën e Ramës: Integrimi në BE, ende ambicie dhe jo realitet

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka hedhur poshtë fushatën propagandistike të kryeministrit Edi Rama lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga Brukseli, Costa deklaroi se pavarësisht datave konkrete që përmend qeveria shqiptare, bëhet fjalë vetëm për ambicie dhe jo për një proces të garantuar.

“Sot po çelim një grup-kapitull tjetër dhe ambicia është që të çelim edhe më tej grup-kapituj për të negociuar gjatë këtij viti, sepse kemi një kalendar shumë konkret dhe duam që ta realizojmë. Kjo është shumë e rëndësishme për BE, për Shqipërinë, shenjë mjaft e rëndësishme edhe për të gjithë rajonin,” u shpreh Costa, duke theksuar se integrimi mbetet një qëllim i dëshiruar, por jo i përmbushur.

Deklarata e tij vjen pas asaj të kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas, e cila gjithashtu i konsideroi pretendimet e Ramës si ambicie, duke nënvizuar se reformat e kërkuara janë të vështira dhe duhet të përfshijnë të gjitha palët.

Në sfondin e këtij skepticizmi nga Brukseli, mbetet e paqartë nëse Shqipëria do të arrijë realisht të përmbushë pritshmëritë për një anëtarësim të afërt në BE.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button