Kosova
Kryesore

Condor Airlines e ndan Kosovën nga Serbia pas angazhimit diplomatik të Ambasadës në Gjermani

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur se aviokompania gjermane Condor Airlines tashmë e paraqet Kosovën të ndarë nga Serbia në platformat e saj zyrtare.

Në një postim në Facebook, Ajeti ka sqaruar se për vite me radhë kjo kompani e kishte paraqitur gabimisht Kosovën, duke mos e njohur në kufijtë e saj kushtetues. “Falë reagimit dhe angazhimit tonë të vazhdueshëm diplomatik, Republika e Kosovës tani paraqitet saktë dhe nuk do të lidhet më në asnjë mënyrë me Serbinë, siç mund të shihet edhe nga dëshmitë përkatëse”, shkroi ai.

Ambasadori u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë në Gjermani që, nëse hasin raste të ngjashme, të njoftojnë Ambasadën e Kosovës duke dërguar dëshmitë relevante në adresën elektronike: [email protected]
.

Ky hap vjen si një tjetër shembull i korrigjimit të gabimeve në paraqitjen ndërkombëtare të Kosovës, pas reagimeve të vazhdueshme institucionale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button