Cole Palmer shkëlqen në finale, Chelsea fiton Botërorin e Klubeve

Cole Palmer ishte protagonisti absolut në fitoren e thellë të Chelseat ndaj Paris Saint-Germainit, në finalen e Botërorit të Klubeve të mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmuesi anglez realizoi dy gola dhe asistoi në një tjetër, duke udhëhequr “Blutë” drejt fitores 3:0 kundër gjigantëve francezë. Me këtë paraqitje, Palmer e përmbylli turneun me kontribut në gjithsej tetë gola për Chelsean në gjashtë ndeshje.
Pas ndeshjes, lojtari më i mirë i turneut u shpreh entuziast për suksesin.
“Unë ndihem mjaft mirë. Është edhe më e ëmbël kur fiton në një finale ku të gjithë dyshonin tek ne. E dinim që do të ishte një sfidë e madhe, por treguam karakter dhe fituam kundër një skuadre të madhe si PSG”, tha Palmer.
Ai gjithashtu vlerësoi trajnerin Maresca për vizionin dhe strategjinë në këtë sukses.
“Maresca po ndërton diçka të veçantë. Trajneri e hartoi një plan të shkëlqyer loje. Ai e dinte ku do të ishin hapësirat dhe si do të më lironte në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë thjesht u përpoqa t’ia ktheja me gola”, shtoi Palmer.
Sulmuesi i talentuar u shpreh optimist për të ardhmen e klubit londinez, duke theksuar se pavarësisht kritikave gjatë sezonit, Chelsea është në rrugën e duhur.