Kosova

Çmimet e larta godasin qytetarët: Rritje e kostos së jetesës dhe mungesë mbështetje nga institucionet

Fatura e blerjeve vazhdon të rëndojë gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve në Kosovë. Rritja e çmimeve të produkteve bazike ka nxitur reagime të ashpra nga qytetarët, të cilët e përshkruajnë gjendjen si alarmante.

“Ma shtrejt s’di ku ka me shku. Pa të ardhura a jetohet? Me një social jetoj. Mora 3 artikuj me 6.10 euro. Kjo është me të lon mend”, u shpreh një qytetar, i cili thekson se varfëria po i prek sidomos të sëmurët dhe familjet me ndihma sociale.

Të njëjtin shqetësim e ndan edhe një pensionist, i cili thotë se rritja e çmimeve po ia vështirëson përditshmërinë. “Tonat janë rrit kapak. Për neve që jena pensionera, katastrofë”, tha ai.

Ankesa të shumta janë dëgjuar edhe për çmimet e larta të pemëve dhe perimeve në treg. “Shtrejt jonë bo. S’po kemi çka me bo, duhet me i marrë. Ku me u anku, 200 euro e kam pensionin qe dy vjet, se kanë rrit”, tha një qytetar tjetër.

Megjithatë, pati edhe nga ata që mendojnë ndryshe. “Çmimet janë reale sipas standardit tonë. Nuk më duket që janë shumë të larta”, u shpreh një tjetër qytetar.

Nga ana tjetër, një tregtar tha se këtë vit disa produkte bazike janë më të lira se më parë. “Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit janë më lirë patatet, qepët, bostani. Po ankesa ka gjithmonë”, tha Beqir Avdiu, shitës në treg.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Shoqatës së Konsumatorëve, Selatin Kaqaniku, kritikoi ashpër institucionet për mungesë përkrahjeje. “Shteti nuk e njeh qytetarin konsumator, as të drejtat e tij themelore. Ne i financojmë institucionet dhe partitë, por përkundër kësaj po përballemi me zhvatje dhe mungesë transparence”, deklaroi ai.

Sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni për muajin qershor ishte 4.3 për qind, duke dëshmuar presionin e vazhdueshëm mbi kostot e jetesës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button