Rajoni

CIK i Bosnjë e Hercegovinës i heq mandatin Milorad Dodikut si president i Republikës Srpska

Në një vendim unanim dhe të paprecedentë, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë e Hercegovinës (CIK BiH) ka vendosur të ia heqë mandatin Milorad Dodikut si president i Republikës Srpska, pas dënimit të tij me një vit burg dhe ndalimit gjashtëvjeçar për të ushtruar funksione publike.

Avokati i Dodikut, Goran Bubic, njoftoi se do të kërkojë masë të përkohshme për pezullimin e zbatimit të vendimit, si dhe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës. Derisa të përfundojë ky proces, vendimi i CIK-ut nuk konsiderohet ende i plotfuqishëm.

Në një përpjekje për të ruajtur pushtetin, Dodik dhe partia e tij SNSD i kanë bërë thirrje opozitës në Republikën Srpska që të formojnë një “qeveri të unitetit kombëtar”. Por kjo iniciativë është përballur me refuzim, pasi shumica e partive opozitare kanë kujtuar ofendimet e mëhershme të Dodikut, i cili i kishte quajtur “mercenarë të huaj” dhe “shërbëtorë të Sarajevës”.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës Srpska zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme, ku miratoi tetë konkluzione, mes të cilave edhe refuzimi i vendimit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe një apel për mbështetje ndaj Dodikut nga të gjitha subjektet politike.

Pritet që në ditët në vijim të mblidhet edhe Kuvendi Kombëtar i Republikës Srpska për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe pasojat e mundshme të vendimit të CIK-ut.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button