Lajme

Celibashi ultimatum partive politike: Përfundoni numërimin e votave brenda ditës së sotme, përndryshe sanksione ligjore

Kryekomisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë partive politike që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të nxisin komisionerët dhe numëruesit për të përfunduar procesin e numërimit të votave brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të kësaj të mërkure.

Në një deklaratë për publikun, Celibashi theksoi se “nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati”, duke shtuar se çdo vonesë në përfundimin e numërimit është përgjegjësi direkte e partive politike që kanë anëtarë në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe në Grupet e Numërimit të Votave (GNV).

Ai i ftoi kandidatët për deputet të shmangin çdo komunikim të panevojshëm apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve, duke respektuar të drejtën e tyre për mbikëqyrje, por pa ndikuar në punën e strukturave të administrimit zgjedhor.

“Nëse situata nuk ndryshon brenda afatit të përcaktuar, të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore”, paralajmëroi Celibashi, duke lënë të hapur mundësinë për ndërhyrje me masa të ashpra ndaj atyre që pengojnë përfundimin e procesit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënvizon se ka ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe përfundimin e tij në kohë, ndërsa i kërkon aktorëve politikë bashkëpunim të plotë për përmbylljen e një procesi zgjedhor të rregullt dhe transparent.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button