Lajme

Celibashi: Procesi i votimit ka nisur pa bllokime, por me vonesa dhe problematika në disa qendra

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka dhënë një përditësim për mediat lidhur me situatën në terren gjatë orëve të para të votimit, duke theksuar se nuk është raportuar asnjë qendër votimi e pahapur apo e bllokuar, megjithatë janë evidentuar disa problematika në organizimin dhe zhvillimin e procesit.

Sipas Celibashit, rreth 8% e qendrave të votimit janë hapur me vonesë, kryesisht në intervalin kohor 07:00–08:00, ndërsa në 5% të tyre nuk kanë qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e komisioneve, duke funksionuar me një përbërje të pjesshme.

Gjithashtu, janë raportuar tensione në 5% të qendrave, të cilat, sipas tij, kanë ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve mes anëtarëve të komisioneve dhe pranisë së individëve të paautorizuar në ambientet e votimit. KQZ ka ndërhyrë për të stabilizuar situatat e krijuara.

Një shqetësim i veçantë është ngritur për mosrespektimin e protokollit të asistencës për personat me aftësi të kufizuara, të cilët në disa raste nuk janë ndihmuar në përputhje me Kodin Zgjedhor.

Probleme teknike kanë sjellë ndërprerje të përkohshme në 6% të qendrave, por situata është normalizuar pas ndërhyrjes së inspektorëve dhe komunikimit me komisionerët lokalë.

Një tjetër çështje e evidentuar lidhet me mosrespektimin e distancës 150 metra nga qendrat e votimit, ku disa qytetarë kanë qëndruar edhe pasi kanë përfunduar votimin.

Në katër qendra votimi, kryesisht në zonën e Dropullit, është raportuar se procesi i identifikimit elektronik po kryhet manualisht, për shkak të problemeve teknike me pajisjet.

Ndërkohë, përsa i përket votimit elektronik në njësinë administrative nr. 10 dhe bashkinë e Vorës, procesi ka vijuar normalisht në të gjitha 75 qendrat përkatëse, sipas informacionit të fundit të mbledhur nga KQZ.

Celibashi njoftoi gjithashtu për një rast të pretenduar presioni ndaj zgjedhësve, si dhe për prani të kandidatësh për deputetë në qendrat e votimit, çka është e ndaluar gjatë ditës së votimit.

Në fund të deklaratës së tij, kreu i KQZ bëri të ditur se pjesëmarrja deri në momentin e raportimit ishte 13.54%, një shifër që mund të ndiqet në kohë reale përmes platformës zyrtare të KQZ-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button