Kosova

Cakolli: Për herë të parë në historinë e Kosovës gara nuk është për formimin e institucioneve, por për fajësinë e dështimit të tyre

Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se vendi ndodhet në një situatë të paprecedentë, ku fokusi i spektrit politik nuk është më formimi i institucioneve, por përcaktimi i fajtorit për dështimin e tyre.

“Për herë të parë në historinë e Kosovës, e kemi një situatë kur gara nuk është kush po i formon institucionet, por kujt po i mbetet faji në fund për dështimin e formimit të tyre”, deklaroi Cakolli gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga IKD.

Duke iu drejtuar deputetit të LVV-së, Nezir Kraki, pjesëmarrës në tryezë, Cakolli theksoi se edhe ai mban përgjegjësi si përfaqësues i subjektit më të madh pas zgjedhjeve të fundit.

Ai vlerësoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 26 qershor përbën një ndryshim thelbësor në qasjen ndaj partive politike, duke u rikujtuar atyre se kompromisi është vlera kyçe e funksionimit demokratik.

“Për herë të parë kemi një Gjykatë Kushtetuese që ua rikujton partive politike, veçanërisht atyre që kanë fituar më së shumti vota, se kompromisi është vlera kryesore e demokracisë. Jo medoemos konsensusi, sepse jo gjithmonë pajtohemi për gjithçka, por kompromisi është nyja kryesore në këtë situatë”, tha ai.

Cakolli rikujtoi se funksionimi i Kuvendit dhe marrja e vendimeve, përfshirë ligjet e marrëveshjet ndërkombëtare, varen nga votat dhe kompromisi ndërmjet partive politike. Si shembull solli vitin 2019, kur ndonëse Lëvizja Vetëvendosje kishte të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit, përmes kompromisit u zgjodh Vjosa Osmani nga LDK.

“Nuk e kuptoj se çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë. Mbase ka ndryshuar dëshira, apo mungesa e saj, për të formuar një qeveri me 61-62 vota. Por ajo që nuk kemi parë gjatë javëve apo muajve të fundit janë përpjekjet e sinqerta për kompromis”, shtoi Cakolli.

Sipas tij, edhe pse janë dhënë oferta nga të gjitha anët politike, asnjëra nuk ka qenë në thelb e sinqertë dhe e qëndrueshme.

Tryeza e diskutimit “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?” u organizua nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button