
Gazetari Elkier Bushkolaj theksoi se disa çështje goditëse që rëndojnë mbi qeverinë.
Ai tha se shumica e bashkëpunëtorëve më të afërt të Kryeministrit ndodhen përpara drejtësisë për dosje korrupsioni, ndërsa vetë Rama ende nuk është thirrur nga SPAK për çështje serioze si dosja “184” dhe skandali i patronazhistëve. Bushkolaj shprehet se, përdorimi i zyrës së Kryeministrit të paguar nga taksat e qytetarëve për të bërë ftesa politike dhe për të ngritur një rrjet që cenon privatësinë e qytetarëve, është tregues i qartë i një pushteti që po kthehet në autokraci.
Fjala e tij:
Është një ftesë për t’i bërë kurban elektoral. Duhet të kemi parasysh që Rama pjesën më të madhe të bashkëpunëtorëve të tij i ka përpara drejtësisë, kryesisht për dosje korrupsioni. Dhe ju mendoni se Rama do t’u shpëtojë këtyre hetimeve për krime zgjedhore? Unë besoj se edhe dosja 184 do të rikthehet sërish. Me provat e reja që po depozitohen në SPAK, dosja 184 dhe personazhet e përfshirë në të do të rikthehen në vëmendje.
Por ajo që po bën Rama është e papranueshme. Duhet të kemi parasysh që për skandalin e patronazhistëve dhe publikimin e të dhënave personale janë dorëzuar materiale në SPAK. Ndërkohë, Rama, që i mbron ata, nuk thirret nga SPAK.
Çështja e patronazhistëve është e pamundur të shihet e shkëputur nga të dhënat private të qytetarëve shqiptarë që dolën në publik, pasi ato ishin grumbulluar pikërisht për patronazhistët.
Ky është problemi jo se ata mbështesin PS-në. Problemi është se ata kanë akses në të dhënat tona personale. Kanë akses në llogaritë bankare, kanë informacion nëse dikush ka apo jo një prind që kërkon shërbim mjekësor ata kanë hyrë në intimitetin tonë.
Kanë shkuar shumë larg në raport me të dhënat që kanë mbledhur, dhe kjo përbën krim. Nuk është problem mbështetja për PS-në, por shkeljet që janë kryer dhe për të cilat duhet të përgjigjen para SPAK-ut.
Personi që merr përsipër këto shkelje është vetë Edi Rama, përmes ftesës që bën nga zyra e Kryeministrit. Po të ishte në selinë e PS-së, ndoshta do të mund të kuptohej jemi në kulmin e fushatës. Por kur kjo ftesë vjen nga zyra e Kryeministrit, e paguar me taksat e qytetarëve, për të ngritur në qiell një armatë që cenon privatësinë e shqiptarëve, kam përshtypjen se jemi në kushtet e një autokracie.