
Një kontingjent prej 97 ushtarakësh bullgarë u përcoll të enjten me një ceremoni zyrtare para Bashkisë së Shumenit, për t’u nisur drejt Kosovës si pjesë e misionit ndërkombëtar të NATO-s.
Në ceremoninë solemne morën pjesë figura të larta ushtarake dhe autoritete lokale, përfshirë Zëvendësshefin e Mbrojtjes, Gjeneral Leitnant Mihail Popov, Admiralin e Flotës Galin Manev, Gjeneral Brigade Plamen Jordanov, si dhe zyrtarë vendorë si prefektja e Qarkut të Shumenit Katya Ivanova dhe nënkryetari i Bashkisë Shumen, Nikolay Kolev.
Duke iu drejtuar trupës, Gjeneral Popov vlerësoi profesionalizmin dhe përgatitjen e tyre:
“Situata në Kosovë për momentin është e qëndrueshme, por mund të ndryshojë në çdo çast. Duhet të jeni të gatshëm të reagoni në mënyrë adekuate. Ju nuk përfaqësoni vetëm Batalionin e 29-të të Mekanizuar, por të gjithë Ushtrinë Bullgare dhe NATO-n,” tha ai.
Në shenjë mbështetjeje dhe simbolike shpirtërore, nënkryetari Kolev i dhuroi kontingjentit një ikonë të Shën Gjergjit Fitimtar, duke theksuar se misioni i tyre jashtë kufijve është një detyrë e rëndësishme për vendin.
Ceremonia u përmbyll me një shërbesë fetare, ku u lutën për shëndetin dhe mirëqenien e ushtarakëve që do të shërbejnë në Kosovë.