
Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian Kaja Kallas dhe komisionerja për zgjerimin Marta Kos lëshuan një deklaratë kritike për zgjedhjet e së dielës në Shqipëri duke paralajmëruar se “po monitorojnë nga afër” situatën.
BIRN
Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian shprehën shqetësimin për shkeljen e standardeve zgjedhore nga Partia Socialiste në Shqipëri duke mbështetur kritikat e një dite më parë nga zyra e OSBE-së për Zgjedhjet Demokratike, ODIHR.
Zyrtarët bënë thirrje për dialog me bazë të gjerë dhe paralajmëruan se po e monitorojnë situatën nga afër.
“Votimet u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar, në të cilën pjesëmarrësit nuk patën kushte të barabarta loje,” thuhet në deklaratë duke iu referuar gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit të Vrojtimit të Zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR.
“Për shkak të përdorimit të gjithëpërhapur të burimeve administrative dhe levës institucionale, mund të thuhet se shumica pati avantazhin e të qenit në fuqi. Aludime të shumta janë bërë mbi presionin mbi votuesit, në veçanti, për punonjësit e sektorit publik,” vijon më tej deklarata, në të cilën bëhet thirrje për hetime si zgjidhja e vetme e problemit.
“Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin e rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të sigurohen për funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit,” vijon më tej deklarata.
Zëvendëspresidentja Kallas dhe komisionerja Kos bëjnë gjithashtu thirrje për dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës mes partive politike dhe të gjitha sektorëve të shoqërisë, përfshirë organizatat dhe bashkësitë vendore.
Qeveria shqiptare apo Partia Socialiste nuk kanë komentuar publikisht mbi shqetësimet e ngritura nga opozita, vëzhguesit vendës dhe vëzhguesit ndërkombëtarë mbi shkeljen e standardeve zgjedhore.
Të hënën, vëzhguesit ndërkombëtarë deklaruan se praktikat e socialistëve, të tilla si përdorimi i burimeve shtetërore, frikësimi i votuesve përmes sistemit të patronazhistëve apo kontrolli mbi median “nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare”.
Kritikat nga ndërkombëtarët për zgjedhjet e 11 majit janë më seriozet të shënuara në këtë drejtim që nga viti 2001, kur abuzimet masive të socialistëve në atë kohë i shtynë vëzhguesit të mos i njohin zgjedhjet si të rregullta. Një proces dialogu u imponua mbi qeverinë e kohës, proces që përfundoi me zgjedhjen e një presidenti konsensual në vitin 2003 dhe me reforma zgjedhore të cilat sollën tranzicionin relativisht paqësor të pushtetit në vitin 2005.