Britania dhe Franca drejt marrëveshjes së re për emigracionin: “Një brenda, një jashtë”

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron pritet të shpallin të enjten një marrëveshje të re për emigracionin, e njohur si “një brenda, një jashtë”. Kjo marrëveshje parashikon që Mbretëria e Bashkuar të pranojë një pjesë të azilkërkuesve që kalojnë përmes Kanalit të La Manshit, ndërsa një pjesë tjetër do t’i kthehet Francës.
Sipas The Guardian, liderët do ta zyrtarizojnë këtë plan gjatë konferencës për shtyp që do të mbyllë vizitën shtetërore tre-ditore të Macron në Britani. Qëllimi është adresimi i fluksit të emigrantëve që kalojnë me varka të vogla nga Franca drejt brigjeve britanike.
Detajet e plota të marrëveshjes janë ende në fazën e diskutimit, përfshirë kohën kur do të nisë zbatimi. Zyrtarët në të dyja vendet e kanë cilësuar procesin e negociatave si “kompleks” dhe “fluid”, ndërsa Downing Street ka shprehur shpresën për “përparim konkret”.
Sipas një skeme pilot të publikuar nga Le Monde, Britania do të kthejë në Francë deri në 2,600 emigrantë në vit – një numër që përfaqëson rreth 6% të totalit të kalimeve të dokumentuara. Ndërkohë, do të pranohen emigrantët që kanë lidhje familjare në Britani.
Prej vitesh, të dyja qeveritë janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje funksionale për kthimin e emigrantëve dhe reduktimin e kalimeve të rrezikshme përmes Kanalit, por deri më tani me rezultate të kufizuara. Kjo marrëveshje e re shihet si një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy vendeve për menaxhimin e krizës së emigracionit.