Kosova

Bllokada në Kuvend paralizon institucionet e pavarura – 17 prej tyre jofunksionale ose me përbërje jo të plotë

Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po e thellon krizën institucionale në vend, duke lënë të paralizuara një sërë institucionesh të pavarura. Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është ndër institucionet që tashmë janë jofunksionale, ndërsa Institucioni i Avokatit të Popullit po vazhdon punën me zëvendës që u ka skaduar mandati.

Zëdhënësi i Avokatit të Popullit, Petrit Collaku, ka konfirmuar se mandati i katër zëvendësve ka përfunduar në qershor të këtij viti, por për shkak të moskonstituimit të Kuvendit nuk ka qenë e mundur të hapet konkurs i ri për zëvendësimin e tyre.

“Avokati i Popullit ka informuar Kuvendin dhe jemi në pritje që të formohet Kuvendi në mënyrë që të vazhdojmë me procedurat për zëvendësimin e tyre. Deri atëherë, zëvendësit aktual vazhdojnë detyrën e tyre”, deklaroi Collaku për mediat.

Por situata nuk kufizohet vetëm te KPM-ja dhe Avokati i Popullit. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), janë të paktën 17 institucione të pavarura që po funksionojnë me përbërje të paplotë ose janë krejtësisht jofunksionale, si pasojë e mungesës së veprimeve të Kuvendit.

“Ka institucione të cilave u mungojnë anëtarët, e në disa raste edhe drejtuesit, dhe kjo po e paralizon funksionimin kushtetues të tyre. Kemi shqetësime edhe për Avokatin e Popullit, sepse ekziston rreziku që së shpejti edhe ky institucion të mbetet pa udhëheqës”, theksoi Gzim Shala nga IKD.

Në të njëjtën linjë, edhe drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, paralajmëron për pasoja të rënda të kësaj bllokade politike. Ai thekson se institucionet e pavarura jo vetëm që janë pa mbikëqyrje, por edhe proceset e rëndësishme ligjore janë bllokuar.

“Janë borde që u ka kaluar mandati, institucione pa monitorim dhe pa financim adekuat, përfshirë RTK-në. Kemi ligje të rëndësishme që po presin, si ligji i punës që ende nuk po trajtohet në Kuvend”, u shpreh Hasaj.

Ndërkohë, edhe pas 54 përpjekjeve të dështuara, deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i obligon ata ta bëjnë këtë brenda afatit 30-ditor, procesi mbetet i bllokuar. Gjykata ka vendosur masë të përkohshme që ndalon çdo veprim të deputetëve deri më 8 gusht.

Në mungesë të konstituimit të Kuvendit, rruga për zgjidhjen e krizës institucionale mbetet e paqartë, ndërsa pasojat po ndihen gjithnjë e më shumë në funksionimin e shtetit dhe institucioneve demokratike.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button