Bllokada institucionale paralizon ekonominë e Kosovës – mbi 900 milionë euro projekte të bllokuara

Ngërçi institucional në Kosovë ka futur vendin jo vetëm në një krizë politike, por edhe në një kolaps ekonomik. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se dëmi më i madh është bllokimi i Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, nga i cili Kosova ende nuk ka përfituar asnjë cent.
“Vetëm në Kuvend janë mbi 900 milionë euro marrëveshje që nuk janë ratifikuar dhe implementuar në projekte konkrete kapitale, të cilat do të kishin ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve. Kjo bllokadë ka bërë që të mos përfitojmë fondet nga Plani i Rritjes, ndërkohë që vendet fqinje tashmë kanë marrë këstin e dytë, kurse ne ende jemi në fazën e parafinancimit”, tha Rafuna për RTV21.
Edhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri, e sheh situatën si një pengesë serioze për zhvillimin ekonomik. Ai thekson se qeveria, në këto rrethana, nuk ka kompetenca për të ndërmarrë politika zhvillimore.
“Sipas raportit gjashtëmujor, vetëm 230 milionë euro nga 900 milionë të planifikuara për projekte kapitale janë realizuar. Ka kaluar gjysma e vitit buxhetor dhe vetëm 26% e buxhetit për investime kapitale është shfrytëzuar. Kjo do të thotë që deri në fund të vitit nuk do të arrihet as gjysma e planifikimit”, tha Shatri.
Ekspertët paralajmërojnë se kriza po reflektohet drejtpërdrejt tek qytetarët, të cilët përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazë, ndërsa shumë biznese po zhvendosin aktivitetin e tyre jashtë vendit.