Blerta Deliu-Kodra thirrje për protestë ndaj Vetëvendosjes: “E kanë marrë peng Kuvendin”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvendin e Kosovës, ku akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë të qëllimshme institucionale dhe përpjekje për të shtypur pluralizmin politik në vend.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, ajo tha se Vetëvendosjes i intereson vetëm “ruajtja e karriges” dhe jo jeta e rëndë që sipas saj po përjetojnë qytetarët e Kosovës.
“Sot nuk po flasim për ndonjë keqkuptim teknik. Sot kemi të bëjmë me një bllokadë të qëllimshme dhe përpjekje të qartë për ta shtypur pluralizmin politik, për të uzurpuar shtetin përmes kontrollit total mbi institucionet. Kjo është shkelje flagrante e rendit kushtetues, sulm mbi demokracinë dhe fyerje për qytetarët e zakonshëm”, u shpreh Deliu-Kodra.
Ajo e cilësoi fjalimin e saj si një formë proteste ndaj, siç tha, “një partie që e ka marrë peng Kuvendin dhe që nuk i intereson hallet e qytetarëve, por vetëm pushteti dhe mbajtja e tij”.
Deputetja e PDK-së theksoi se mandati i përfaqësimit nuk iu është dhënë nga një parti politike, por nga qytetarët, ndaj të cilëve ndjejnë “obligim dhe përgjegjësi qytetare”.
Fjalimi i saj vjen në një kohë të tensionuar politike, ku për të 45-tën herë ka dështuar konstituimi i plotë i Kuvendit të Kosovës.