Lajme

Blendi Fevziu: Arrestimi i Veliajt tronditi të majtën dhe forcoi PD-në, fushata e këtij viti është “bosh”

Gazetari i njohur Blendi Fevziu ka komentuar zhvillimet më të fundit politike dhe ndikimin e drejtësisë në klimën elektorale, duke vënë theksin tek arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në një intervistë për gazetarin Drini Zeqo, Fevziu e cilësoi këtë arrestim si një moment vendimtar që ka shkaktuar tronditje në kampin e majtë dhe njëkohësisht ka rritur ndjeshëm Partinë Demokratike në prag të zgjedhjeve.

“Arrestimi i Veliajt dha një shok në anën e majtë, e rriti PD-në në nivelet më të larta të fushatës,” u shpreh ai, duke theksuar ndikimin e madh që ky zhvillim ka pasur në ekuilibrin politik.

Fevziu shtoi se vetëm Partia Demokratike ka paraqitur një program për qytetarët, ndërsa Partia Socialiste sipas tij, nuk ka ofruar asnjë alternativë konkrete për votuesit. “Ka një program të PD-së që ka ngritur disa gjëra, por s’ka asnjë përgjigje nga pala tjetër. Pala tjetër flet për një gjë që do ndodhë në 2030-ën,” deklaroi ai.

Duke komentuar klimën zgjedhore, gazetari theksoi se fushata e këtij viti është ndjeshëm më e zbehtë krahasuar me vitet e kaluara, duke e cilësuar si një fushatë “bosh”, pa ide dhe pa angazhim real nga partitë politike.

“S’ka asgjë! Asgjë! Fushata e këtij viti është e dobët. Nuk ka debat, nuk ka ide, nuk ka përballje,” theksoi Fevziu, duke kujtuar se dy fushatat më të mira në historinë elektorale të Shqipërisë kanë qenë ato të viteve 2005 dhe 2009, për shkak të përballjes së fortë dhe entuziazmit publik.

Megjithëse jemi vetëm pak ditë para zgjedhjeve, Fevziu nuk pret lëvizje të tjera të mëdha nga drejtësia, duke thënë se çdo vendim tjetër mund të merret pas përfundimit të procesit zgjedhor.

“Është vetëm kaq, vendime të tjera mund të merren pas zgjedhjeve. Nuk do ketë ndryshim të madh në këto dy javë e ca fushatë,” përfundoi ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button