Bledi Marku në Laprakë: PD do finalizojë legalizimet brenda vitit të parë të qeverisjes

Gazetari dhe aktivisti politik Bledi Marku mbajti një fjalim gjatë takimit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, me banorët e njësisë 11 në Tiranë. Duke u ndalur te problematikat e Laprakës, Marku denoncoi shembjet masive të banesave gjatë 12 viteve të fundit nën qeverisjen e Edi Ramës, duke e cilësuar këtë zonë si një ndër më të prekura në vend.
Në fjalën e tij, ai paralajmëroi se projektet për hekurudhën dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës do të sjellin shembje të tjera banesash, duke përmendur se rreth 150 shtëpi pranë Universitetit Bujqësor janë në listën për t’u prishur. Sipas Markut, këto projekte po zhvillohen në mënyrë abuzive dhe pa përfunduar më parë proceset e legalizimit.
Bledi Marku njoftoi se Partia Demokratike, me propozimin e kandidates për njësinë 11, Ilda Zhulali, ka marrë angazhimin që, brenda vitit të parë të qeverisjes së saj, të përfundojë legalizimin e të gjitha banesave në këtë zonë. Ai theksoi se çdo qytetar do të pajiset me dokument pronësie pa dallime politike apo të natyrave të tjera, ndërsa shpronësimet për projekte publike do të bëhen vetëm mbi bazën e vlerës së tregut.
Në përmbyllje, Marku ftoi Sali Berishën që të firmosnin së bashku një “kontratë besimi” me qytetarët e Laprakës, duke garantuar zbatimin e këtyre zotimeve.