Bizneset në Kosovë me fatura trefish më të larta të energjisë në treg të lirë

Bizneset kosovare që nga 1 qershori janë detyruar të dalin në tregun e lirë të energjisë, gjatë muajit korrik kanë paguar deri në 200 euro për një megavat, duke u përballur me fatura trefish më të larta se në periudhën me çmime të rregulluara.
Pronarë të kompanive prodhuese thonë se faturat po bëhen të papërballueshme. Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, deklaroi se për muajin korrik fatura e energjisë ka arritur në 93,799 euro, nga 28 mijë euro sa kishte qenë në maj.
“Sjellja e një ngarkese kaq të madhe financiare, e cila pritet të rritet edhe më shumë gjatë sezonit dimëror, është një barrë e rëndë për kompaninë tonë”, tha Palushi.
Sipas një fature të siguruar nga KOHA, një biznes që konsumoi 21 mijë kilovatë energji në korrik u faturua me 4,422 euro, ose rreth 201 euro për një megavat.
Edhe pse ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte deklaruar në qershor se çmimi mesatar në bursën ALPEX ishte 64.55 euro/MWh, kontratat e lidhura nga bizneset me KEK-un nuk përmbajnë çmim fiks, por varen nga lëvizjet në bursë. Të mërkurën, çmimi në ALPEX arriti deri në 170 euro/MWh, pa përfshirë transportin dhe taksat shtesë.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve reaguan duke e quajtur situatën alarmante. “Bizneset prodhuese të obliguara të furnizohen në treg të lirë kanë paguar 162 €/MWh në qershor dhe 203 €/MWh në korrik, ndërsa konsumatorët në tregun e rregulluar vetëm 65–75 €/MWh. Ky dallim mbi 3 herë më i lartë ka dëmtuar rëndë konkurrueshmërinë e fabrikave dhe i ka vendosur prodhuesit kosovarë në pozitë të pabarabartë me konkurrentët rajonalë”, thuhet në reagim.
Organizatat e biznesit paralajmërojnë se në dimër, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të shkojnë deri në 300 euro për megavat, duke kërkuar pezullimin e daljes së detyruar në tregun e lirë.
Ndërkohë, KEK-u dhe Zyra e Rregullatorit për Energji nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me mënyrën e faturimit dhe mbikëqyrjen e çmimeve.