Bizneset në bllokadë për regjistrimin e veturave – Dhoma e Tregtisë kërkon hetim nga Avokati i Popullit

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) i ka kërkuar Avokatit të Popullit që të nisë hetimet lidhur me bllokadën që, sipas saj, Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Policia e Kosovës po u bëjnë bizneseve sa i përket regjistrimit të automjeteve.
Sipas një komunikate për media, Dhoma ka pranuar një numër të madh ankesash nga bizneset anëtare për zbatimin e paragrafit 4 të nenit 89 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ka filluar të zbatohet më 31 maj 2025 nga Policia e Kosovës. Ky paragraf ndalon regjistrimin e çfarëdo automjeti të një subjekti juridik nëse ekziston një gjobë e papaguar për ndonjë veturë tjetër në pronësi të të njëjtit subjekt.
“Bizneset që kanë gjoba të papaguara nuk po mund t’i regjistrojnë veturat e tyre, pavarësisht nëse mjeti që kërkohet të regjistrohet është ndëshkuar apo jo. Kjo po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin normal të tyre, qarkullimin ekonomik dhe të drejtën për të ushtruar veprimtarinë,” thuhet në reagimin e Dhomës.
DHTIK konsideron se kjo praktikë shkel Nenin 46 të Kushtetutës, që garanton të drejtën e pronës, duke pamundësuar qasjen dhe shfrytëzimin e saj. Ajo e ka cilësuar këtë zbatim si vendosje arbitrare dhe kontrabandim normativ të një paragrafi në një nen që ka për objekt vetëm ndalesat e parkimit.
“Paragrafi 4 është futur në mënyrë të pa konsultuar dhe të pakoordinuar, duke krijuar pasiguri ligjore dhe hapur rrugë për interpretime të rrezikshme në praktikë,” thuhet më tej në komunikatë.
Sipas Dhomës, kjo situatë po rezulton në dëme të drejtpërdrejta financiare për bizneset dhe rritje të numrit të veturave të paregjistruara në trafik. Ajo ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kësaj praktike dhe rishikimin e interpretimit të nenit në përputhje me qëllimin e tij ligjor.
Në një takim të mbajtur muajin e kaluar me përfaqësues të ARC-së dhe Policisë së Kosovës, DHTIK kishte kërkuar rishqyrtimin urgjent të këtij interpretimi ligjor.