Bislimi takon shefin e ri të OSBE-së në Kosovë, McGurk: Bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet thelbësor

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur në një takim shefin e sapoemëruar të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Gjatë këtij takimi të parë mes tyre, zëvendëskryeministri Bislimi e uroi McGurk për marrjen e detyrës së re dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional mes institucioneve të Kosovës dhe OSBE-së.
Në takim u diskutuan zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë mbi arritjet e Qeverisë në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe avancimin e prodhimtarisë vendore.
Të dy palët u ndalën edhe tek raportet periodike të OSBE-së për Kosovën, duke nënvizuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Bislimi vlerësoi rolin e OSBE-së në procesin e shtetndërtimit dhe forcimin e institucioneve demokratike, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë për të avancuar më tej këtë bashkëpunim në të ardhmen.