Lajme

Berisha sulmon ashpër SPAK dhe Ramën: Zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë e orkestruar nga mazhoranca

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke e akuzuar si bashkëpunëtore të Partisë Socialiste në atë që ai e quajti “krimet zgjedhore” të 11 majit.

Deklaratat e Berishës erdhën një ditë pas prononcimit të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i cili tha se kallëzimet për krime zgjedhore nga partitë politike ishin të paplota dhe shpesh të pasakta. Në reagim, Berisha e ironizoi Dumanin, të cilin e quajti “Altin Troplini”, dhe e akuzoi për bashkëpunim me mazhorancën socialiste.

“Me gjyslykët e Altin Troplinit nuk ka asgjë të qartë. Ai është ortak në këtë krim të shëmtuar elektoral. Ne kemi dorëzuar mbi 40 kallëzime, por ai nuk vepron sepse është mburojë e krimit elektoral dhe amnistisë,” u shpreh Berisha.

Ai gjithashtu lëshoi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për abuzim me udhëtimet zyrtare dhe përdorimin e avionëve charter. Sipas tij, përmes valixheve diplomatike, mund të jenë transportuar “monedha, drogë apo të tjera sende të paligjshme”.

“Do të kërkojmë edhe mbështetje ndërkombëtare për të hetuar këto udhëtime dhe ‘baulet diplomatike’. Kur kryeministri udhëton me një seri të pafundme baulesh, lindin dyshime të forta për trafiqe ilegale,” deklaroi ai.

Sa i përket procesit zgjedhor të 11 majit, Berisha theksoi se kutitë e votimit janë mbushur jashtë qendrave të votimit dhe më pas janë zëvendësuar. Ai shtoi se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe të papranueshme për Partinë Demokratike.

“Në asnjë mënyrë nuk mund të pranohen këto kuti, të ardhura nga selia e PS apo nga qendrat ilegale të patronazhistëve. Zgjedhjet e 11 majit janë një farsë e vërtetë që nuk përfaqësojnë vullnetin e shqiptarëve. PD nuk do t’i njohë këto zgjedhje,” përfundoi Berisha.

Këto deklarata pritet të përshkallëzojnë më tej tensionet politike pas zgjedhjeve të kontestuara, ndërkohë që vëmendja përqendrohet te reagimi i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button