Lajme

Berisha: Siguria ushqimore në Shqipëri në duart e mafies shtetërore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë gjatë Konferencës për Sigurinë Ushqimore, duke deklaruar se sektori i sigurisë ushqimore në Shqipëri ndodhet nën kontrollin e mafies shtetërore. Ai e cilësoi situatën si alarmante dhe theksoi se ky sektor, i lidhur drejtpërdrejt me shëndetin e qytetarëve, është në rrezik serioz.

Berisha u shpreh se Shqipëria nuk përmbush asnjë nga standardet e Bashkimit Europian për sigurinë ushqimore, ndërsa ekspertët vendas, megjithëse të kualifikuar, janë të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse. Sipas tij, strukturat që merren me kontrollet janë të korruptuara dhe pengojnë hyrjen e investitorëve të huaj në treg, duke e mbajtur sektorin larg standardeve europiane.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e menaxhimit të prokurimeve publike, duke thënë se në 99% të rasteve ato fitohen nga kompani shqiptare, ndërsa të huajt përjashtohen përmes burokracive të qëllimshme. “Kanë vendosur që dokumentet të dorëzohen për 38 ditë, ndërsa të huajt paraqiten vetëm pasi është firmosur prokurimi,” tha Berisha, duke theksuar se kjo është një pengesë e qartë ndaj konkurrencës së ndershme.

Berisha kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për të shpëtuar sektorin e sigurisë ushqimore nga kontrolli i interesave mafioze dhe për të garantuar standarde të vërteta që mbrojnë shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button