Berisha shpall “fundin e opozitës”: Pas 12 majit bëhemi mazhorancë – Rama ka nevojë për mjekim!

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka deklaruar se pas datës 12 maj, opozita do të kthehet në mazhorancën e vendit, duke e quajtur këtë moment si një kthesë historike për Shqipërinë. Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se ndjesia për ndryshim është e dukshme dhe është ndjerë nga të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.
“Kjo do të jetë konferenca ime e fundit si kryetar opozite, sepse pas 12 majit kjo opozitë bëhet mazhorancë e Shqipërisë. E keni ndjerë dhe ju, e ka ndjerë çdo shqiptar këtë,” deklaroi Berisha.
Ai sulmoi ashpër Ramën, duke e akuzuar për destabilitet emocional dhe politik, teksa iu referua një interviste të fundit të kryeministrit ku, sipas tij, Rama fliste për “gijotina” dhe “helme”.
“Ju e patë si u shkallmua mbrëmë në televizion. Fliste për gijotina, helme… Ai kishte nevojë urgjente për mjekim. Unë jam mjek, kardiolog, por më ka tërhequr gjithmonë edhe psikiatria,” ironizoi Berisha.
Deklarata e Berishës vjen pak ditë para një proteste të paralajmëruar nga opozita, duke rritur tonet e retorikës politike dhe duke përforcuar pretendimet për një përmbysje të balancave në skenën politike shqiptare.