Berisha: Shëndetësia shqiptare është kthyer në vitet ’60, spitali i Kukësit pa mjekë, eksodi i bluzave të bardha masiv

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me studentë të Fakultetit të Mjekësisë këtë të premte, ku ngriti alarmin për gjendjen dramatike të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Ai e krahasoi situatën aktuale me atë të viteve ’60, duke theksuar se në 4 vitet e fundit shëndetësia ka marrë goditjet më të rënda.
Sipas Berishës, në vitin 2013, kur Partia Demokratike la pushtetin, kishte një mjek për çdo 600 banorë, ndërsa sot kjo shifër është dyfishuar në një mjek për 1100 banorë. Ai shtoi se mesatarja europiane është një mjek për 300-350 banorë, çka sipas tij tregon degradimin e thellë të sistemit.
Ish-kryeministri solli në vëmendje situatën në spitalin e Kukësit, i cili sipas tij, pavarësisht një investimi prej 3 milionë eurosh, është pa mjekë. “Për një operacion apandesiti, ka vetëm një kirurg humanist që ka lënë numrin e tij dhe vjen kundrejt pagesës”, u shpreh Berisha.
Ai foli edhe për mungesën e specialistëve në spitalet e tjera të vendit, si dhe për eksodin masiv të mjekëve, të cilët sipas tij, po largohen për shkak të kushteve të papërshtatshme.
Në fjalën e tij, Berisha solli në vëmendje edhe të dhëna shqetësuese për varfërinë. Ai citoi një studim të UNICEF, sipas të cilit 21% e familjeve shqiptare nuk arrijnë t’u sigurojnë më shumë se dy vakte në ditë fëmijëve të tyre.
Po ashtu, ai ngriti shqetësimin për pensionistët shqiptarë, duke thënë se 57% e tyre marrin më pak se 170 euro në muaj, ndërkohë që çmimet janë rritur ndjeshëm që nga viti 2013. “Sot një banesë që dikur kushtonte 200 euro, tani shkon deri në 600 euro. Kilogrami i bukës nga 400 lekë ka shkuar 900-1000 lekë”, shtoi ai.
Në fund, Berisha theksoi se një e treta e popullsisë po mbijeton vetëm falë ndihmës së familjarëve, duke e quajtur situatën sociale dhe ekonomike të vendit si “themelësisht shumë të vështirë”.