Berisha premton dyfishim të buxhetit për shëndetësinë dhe arsimin: Rroga e mësuesit 1500 euro, heqje e tarifave për studentët

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatëve të PD-ASHM në Qarkun e Dibrës, ka bërë një sërë premtimesh të mëdha për qytetarët shqiptarë nëse vjen në pushtet. Ai premtoi dyfishim të buxhetit për shëndetësinë dhe arsimin, si dhe një sërë masash për përmirësimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike të shqiptarëve.
“Rroga e mësuesit do jetë jo më pak se 1500 euro,” tha Berisha, duke shtuar se “shkollat do modernizohen, tarifat për studimet do hiqen dhe mesatarja për pranimin në universitete do të eliminohet.”
Ndër premtimet e tjera kryesore ishin:
Vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar që përfiton ndihmë ekonomike, çdo pensionist me pension nën këtë shumë, të papunë, studentë dhe jetimë.
Rroga minimale do të jetë 500 euro.
Karta e konsumatorit, përmes së cilës qytetarët me të ardhura të ulëta dhe pensionistët do të përfitojnë ulje prej 20% në çmimet e ushqimeve.
Nafta do të ulet në çmim, në nivelin e asaj që shitet në Kosovë dhe Maqedoni.
Mbështetje e fuqishme për fermerët, pesëfish më e lartë se aktualisht, me subvencione për çdo fidan, njësi prodhimi dhe kokë bagëtie.
Modernizim i sistemit shëndetësor, ku sipas tij, aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë 410 euro për person në vit për kujdes shëndetësor, një ndër nivelet më të larta në Europë.
Berisha akuzoi qeverinë aktuale për vjedhje masive të buxhetit të shtetit dhe theksoi se “gjendja e spitaleve është katastrofale”, ndërsa shprehu bindjen se në kohën e diktaturës situata ka qenë më e mirë se sot.
“Ne do ta vendosim sërish mësuesin në piedestal dhe do i japim dinjitetin e munguar qytetarëve tanë,” përfundoi ai.