Berisha: PD do të rikthejë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të luftojë korrupsionin

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me banorët e Njësisë nr. 11 të Laprakës, ku prezantoi projektin politik të PD-së për zgjedhjet e ardhshme. Ai deklaroi se partia që ai drejton ka një program të qartë për të adresuar problemet e qytetarëve dhe për të luftuar varfërinë, që sipas tij është thelluar nga qeverisja aktuale e Edi Ramës.
Berisha akuzoi qeverinë për keqpërdorimin e fondeve publike dhe shpërdorimin e pasurisë shtetërore, duke e lidhur këtë me rënien e fuqisë blerëse të shqiptarëve. Ai tha se prioriteti i PD-së do të jetë rritja e rrogave dhe pensioneve, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi më të mira ekonomike.
“Nëse një pensionist shqiptar në vitin 2013 merrte 143 mijë lekë, sot, për të pasur të njëjtën fuqi blerëse, pensioni duhet të ishte 390 mijë lekë. Në vend që të ndihmoheshin qytetarët, paratë publike janë shpërdoruar për luksin e qeveritarëve,” u shpreh Berisha.
Ai kritikoi ashpër projektet e qeverisë Rama, duke përmendur shembuj si vila luksoze, përdorimi i avionëve privatë dhe shpërdorimi në tendera të mëdhenj si djegësi i Tiranës. Berisha denoncoi gjithashtu çmimet e fryra të infrastrukturës në Shqipëri, duke i krahasuar me koston e projekteve të ngjashme në rajon.
Në fund të fjalës së tij, Berisha theksoi se Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore synojnë të sjellin një qeverisje të ndershme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
“PD do të rikthejë shpresën dhe do të ndërtojë një të ardhme më të begatë për shqiptarët,” përfundoi Berisha.