Lajme

Berisha nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve, thirrje për protestë në Tiranë në ditën e samitit europian

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka refuzuar të njohë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, duke i cilësuar ato si më të manipuluarat në historinë elektorale të vendit dhe ka bërë thirrje për protesta masive.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për “blerje masive të votës” dhe “keqpërdorim të burimeve publike”, duke shtuar se opozita nuk do t’i njohë kurrë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Protesta e paralajmëruar do të mbahet të premten, në të njëjtën ditë kur Tirana pret liderët evropianë për takimin e Komunitetit Politik Europian.

Sipas rezultateve paraprake pas numërimit të 98% të votave, Partia Socialiste ka siguruar 52% të mbështetjes dhe pritet të fitojë 82 mandate në parlamentin me 140 vende. Koalicioni i djathtë i udhëhequr nga Partia Demokratike ka marrë 34% të votave, duke u renditur forcë e dytë.

Ndërkohë, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-së ka raportuar për “frikësim të gjerë” gjatë fushatës dhe përdorim të burimeve shtetërore nga ana e pushtetit.

Thirrja për protestë vjen në një moment delikat diplomatik për Shqipërinë, ndërsa pritet prania e liderëve të BE-së në samitin që do të mbahet në kryeqytet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button