Lajme

Berisha nga Peqini: Rama u tall me shqiptarët, 11 Maji është dita e qytetarit

Nga Peqini, në përmbyllje të fushatës zgjedhore, kryedemokrati Sali Berisha lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si njeriun që ka varfëruar shqiptarët dhe po mundohet t’u hedhë hi syve përmes shfaqjeve dhe figurave të njohura publike.

Duke komentuar praninë e reperit Noizy në një aktivitet të Ramës në Dibër, Berisha ironizoi: “Gjen edhe Noizyn me Lamborghini. Po Lamborghini i Noizyt nuk është rroga dhe pensioni i qytetarëve e pensionistëve. Ai le ta gëzojë, por ç’punë ka pensionisti me të? Apo si t’i mashtrojë?”

Në një krahasim me zgjedhjet presidenciale në SHBA, Berisha tha se Rama po ndjek shembullin e Kamala Harris, duke u mbështetur tek “Hollywood-i shqiptar”, por sipas tij, qytetarët nuk do të bien pre e këtij mashtrimi.

“Kamala mori të gjithë Hollivudin me vete, por përfundoi atje ku e meritonte. Çfarë i mendon ky shqiptarët? Qenie primitive, njerëz që mund t’i mashtrojë? Kurrën e kurrës nuk janë të tillë shqiptarët,” deklaroi ai.

Berisha akuzoi kryeministrin për zhytje në luks dhe përfitime të paligjshme, përfshirë ndërtimin e vilave luksoze, pasuri të pajustifikuara, përvetësim tokash në Gjipe dhe skandale financiare si ai i inceneratorëve. Ai shtoi se Rama nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këto afera dhe po fshihet nga përballja me qytetarët.

“11 Maji është dita e qytetarit. Është ora e mençurisë, e dinjitetit, e krenarisë, e shpresës dhe e besimit tek e ardhmja,” përfundoi ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë dhe të jenë pjesë e ndryshimit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button