Lajme

Berisha nga Peqini: “Asnjë pension nën 200 euro, asnjë rrogë nën 500 euro në 100 ditët e para të qeverisjes”

Nga Peqini, në fushatën përmbyllëse të zhvilluar në këtë qytet, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi premtimet kryesore të qeverisjes së tij të mundshme, duke theksuar rritjen e ndjeshme të pensioneve dhe pagave.

Berisha garantoi se në 100 ditët e para të qeverisjes nuk do të ketë asnjë pensionist me pension nën 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 500 euro. Ai shtoi se rroga mesatare do të arrijë në 1250 euro dhe se mësuesit do të paguhen minimalisht me 1500 euro.

“Kjo qeveri i ka braktisur qytetarët, bujqësinë dhe biznesin e vogël. Pensionistët jetojnë me më pak se 172 euro në muaj, ndërkohë që vetëm 13 vite më parë blinin dy herë e gjysmë më shumë me të njëjtin pension. Sot, Shqipëria është bërë e pajetueshme”, deklaroi ai.

Në një fjalim të mbushur me kritika ndaj qeverisë aktuale, Berisha theksoi pabarazinë e thelluar ekonomike, duke përmendur diferencën prej 14-15 herë mes rrogës më të ulët dhe asaj më të lartë në administratën publike.

Ai premtoi një rikthim të dinjitetit ekonomik për qytetarët, duke premtuar mbështetje reale për fermerët dhe bizneset e vogla: “Fermerët tanë nuk mund të konkurrojnë me ata të rajonit sepse marrin pesë herë më pak mbështetje se fermerët e Maqedonisë apo Serbisë. Kjo do të ndryshojë.”

Berisha përmendi shembullin e Malit të Zi si model për shpërndarjen më të drejtë të taksave dhe rritjen e pensioneve, duke e krahasuar me indiferencën që, sipas tij, ka treguar qeveria Rama ndaj shtresave në nevojë.

“Më 11 maj, me votën tuaj, do të bëjmë një ndryshim epokal. Nuk premtojmë mrekulli, por një model të drejtë, të mbështetur në praktikat më të mira europiane”, përfundoi ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button