Berisha nga Gramshi: “Qyteti është emergjencë kombëtare, pasuritë i kanë lënë në harresë”

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ndaloi sot në Gramsh në kuadër të fushatës përmbyllëse të Partisë Demokratike, ku ngriti alarmin për gjendjen që sipas tij po kalon ky rreth i pasur por i braktisur. Para qytetarëve të mbledhur, Berisha e quajti Gramshin një “emergjencë të vërtetë” dhe theksoi se asgjë nuk ka ndryshuar nga koha e qeverisjes së PD-së.
“Gramshi është një rreth me pasuri të mëdha natyrore, bujqësore e turistike, por banorët nuk i gëzojnë ato. Nga 50 mijë banorë, sot kanë mbetur vetëm 16 mijë,” deklaroi Berisha. Ai shtoi se rrugët dhe infrastruktura në fshatra janë lënë pas dore, ndërsa shëndetësia është në nivelin e vitit 1960.
Në fjalën e tij, Berisha sulmoi ashpër qeverinë aktuale, duke e akuzuar për vjedhje sistematike të buxhetit dhe abuzim me fondet publike. “Qeveria e ka detyrim kushtetues që paratë e buxhetit t’i kthejë qytetarëve nëpërmjet rrogave, pensioneve, arsimit dhe shëndetësisë. Por këta i kanë vjedhur,” tha ai.
Ish-kryeministri solli shembuj konkretë për të ilustruar akuzat e tij: “Në Kroaci, një kilometër autostradë kushton 1.6 milionë euro. Në Shqipëri, Rruga e Arbrit ka kushtuar 11 milionë euro kilometri. A ka më mashtrim të madh?”
Berisha kritikoi gjithashtu projektin e djegësit të Tiranës, për të cilin tha se është një aferë pa gjurmë, me 130 milionë euro të zhdukura. “Në Kongresin e PPE-së, të gjithë u tronditën kur tregova për këtë aferë,” përfundoi ai.
Në këtë takim, Berisha përshëndeti gjithashtu kandidatë të PD-së dhe figura lokale si Tomorr Alizoti dhe tenorin Armardo Kllogjeri, të cilët i quajti krenari për Gramshin dhe Shqipërinë.