
Nga fshati Gjergjan në Elbasan, ku zhvilloi një takim me fermerët kreu i PD Sali Berisha u ndal tek fondet e BE për bujqësinë, për të cilat tha se paratë që i takonin fermerëve u vodhën nga qeveria. Berisha deklaroi se në 12 vitet e fundit fermerët shqiptarë janë përballur me humbje të mëdha dhe me braktisje të plotë nga shteti. Kreu i PD Sali Berisha ka zhvilluar një takim sot me fermerët në njësinë administrative Gjergjan të Elbasanit, ku ka kritikuar ashpër politikat e ndjekura nga qeveria Rama në sektorin e bujqësisë.
Berisha u ndal tek fondet e BE për bujqësinë, për të cilat tha se paratë që i takonin fermerëve u vodhën nga qeveria.
‘Paratë jau morën dhe kur BE e diktojë këtë, i ndërpreu fondet dhe Rama në vend të çonte ministren e tij ku e meritonte, e mori këshilltare kryesore në kryeministri, sepse abuzimin e kishte të përbashkët dhe ajo s’kishte bërë gjë tjetër veçse kishte zbatuar urdhrat e tij. Ne jemi të vendosur ta transformojë dhe ta ndryshojmë me shpejtësi këtë situatë. Në kemi vendosur në programin tonë të 54 fishojmë subvencionin dhe të kapim vendet që kemi përreth Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Ndaj dhe fondi do të shkojë në 230 milionë euro subvencione. Do të subvencionojmë çdo kokë bagëti, çdo njësi prodhimi’, tha ai. Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se në 12 vitet e fundit fermerët shqiptarë janë përballur me humbje të mëdha dhe me braktisje të plotë nga shteti.
Ai e quajti “shkatërrimtare” politikën e hapjes së kufijve për prodhimet bujqësore nga Serbia, Maqedonia dhe vendet e tjera fqinje, duke theksuar se fermerët në këto vende marrin disa herë më shumë subvencione se fermerët shqiptarë.
‘Ne, vijmë në këtë takim me ju, pasi në 12 vite fermat tuaja, prodhimet tuaja, mundi juaj, ka njohur vështirësi të mëdah, humbje të ndjeshme, rrokullisje serioze. Sot, po të shkojmë në dyqanet e Elbasanit, të Tiranës dhe kudo, 80% të produkteve prodhohen në Shumadi, në Banat, prodhohen jashtë Shqipërisë. Sot, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, që është një sektor bazë, në të cilin punësohen rreth gjysmë milioni shqiptarë, është një sektor për të mos thënë krejtësisht, por pothuajse krejtësisht i braktisur nga kjo qeveri.
Ky sektor i jep vendit 90% të prodhimit të brendshëm. Ky sektor financohet vetëm 0.5% të prodhimit të brendshëm. Ju nuk jeni më pak punëtorë se sa fermerët e Maqedonisë, të Kosovës, apo të Serbisë, ose të Malit të Zi. Jo, ju jeni shumë punëtorë. Dhe sigurisht, ju doni që fermat tuaja, serrat tuaja, stallat tuaja, të ecin përpara, t’u begatojnë, të pasurohen. Por, kjo nuk ndodh.
Sepse, me politikën që ndoqi kjo qeveri, ishte një politikë shkatërrimtare. Hapi kufijtë, doganat për prodhimet e Serbisë, Maqedonisë, fermerë të të cilave, subvencionohen nga 5 gjer 8 herë më shumë se ju. Pra, në qoftë se ju merrni 100 euro subvencion, fermeri në Maqedoni merr 500 euro subvencion, fermeri në Kosovë merr 400 euro subvencion, fermeri në Serbi merr 700 ose 800 euro subvencion’, tha ai.