
Kreu i PD Sali Berisha nga Berati tha se sistemi arsimor në vend do jetë më moderni nëse vjen në pushtet PD.
Qëllimi më madhor i programit të PD, i programit të opozitës shqiptare, është të sjellë kombin në rininë e tij. Të sjellë kombin shqiptar në moshën e rinisë. Dhe kjo në njëfarë mënyre duke parë realitetin, të duket se është njëlloj si të shpallësh se do kalosh detin në këmbë. Por jo, nuk është ashtu.
Ju i shihni sheshet mbushen. Ju e shihni se energjia, entuziazmi shpërthen në katër anët. Kjo është shpresa e pashuar e shqiptarëve se kombit do rikthehet në rininë e vet, se kombi do kthehet në të ardhmen e vet. Ndaj dhe unë këtu nga Berati shpall zotimin solemn të Aleancës për Shqipërinë Madhështore se sistemi arsimor i Shqipërisë do jetë sistemi më modern, sistemi që punëson. Shkollat dhe universitetet do funksionojnë në partneritet të plotë me ndërmarrjet publike dhe private.
Kjo do të thotë se çdo universitet, publik apo privat, do lidhë marrëveshje me kompani për të ofruar praktikë të integruar në program dhe do përfitojë mbështetje për të gjithë praktikën që do ofrojë për studentët dhe të diplomuarit që ndjekin këto praktika.