
Nga Berati ku përmbylli takimin elektoral Sali Berisha foli për paktin kombëtar për rininë duke premtuar punësim të tyre brenda vitit pas studimeve. Kreu i PD tha se me pëlqimin e influencerëve të TikTok do të marrë vendime për të rinjtë.
Nga Berati u ndal edhe tek grantet për bizneset e reja. Berisha tha se do të jepet 5 mijë euro grant, ndërsa theksoi se punëdhënësi që do punësojë të rinjtë do ketë një ulje 70 për qind me taksa.
‘5 mijë euro grant për çdo të ri që projekton për të nisur një biznes në Shqipëri. Grantet nga fondi kombëtar do të përdoren për startupet teknologjike, sociale, por edhe për fermerët e rinj që duan të zhvillojnë fermat e tyre. Inkubatorë rajonalë në çdo qendër të madhe për t’u afruar biznesmenëve të rinj të gjitha lehtësirat për bizneset e tyre. Punëdhënësi që do punësojë të rinjtë do ketë një ulje 70 përqind me taksa. Po! Shqiptarët duhet ta kuptojnë se të rinjtë janë bërë si ujët e pakët për ne. Ne do bëjmë gjithçka që ata të rrijnë, të ndërtojnë foletë e tyre, të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të gjitha këto, 5 vite pa asnjë taksë kur të vendosin të kthehen në vendin e tyre. Kombi në rininë e tij vjen vetëm kur ne të marrim çdo masë që të rinjtë të kenë çdo hapësirë për ëndrrat e tyre këtu në Shqipëri.
I garantoj se kuotat në raport me grupmoshën do jenë operative si në politikë, si në çdo fushë tjetër. Të rinjtë do jenë promotorët kryesorë të Shqipërisë së teknologjisë së lartë, inteligjencës artificiale, të kriptomonedhave, të dataqendrave. Debat intensiv me influencerë dhe TikTok do të nxitet në mbarë vendin. Fjala e tyre, vendimet për të rinjtë do merren vetëm me pëlqimin e tyre. Kombi duhet të ndryshojë tërësisht qëndrimin ndaj të rinjve, në mënyrë që ata të mbeten këtu në Berat, të mbeten në Shqipëri’, tha ai.