Berisha në ‘Global She’: Rama nuk realizoi asnjë projekt për gratë shqiptare në 12 vite

Kryetari i opozitës shqiptare, Sali Berisha, në fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare “Global She”, akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk ka realizuar asnjë projekt në mbështetje të grave dhe vajzave shqiptare gjatë 12 viteve të qeverisjes së tij.
Berisha deklaroi se gratë shqiptare janë përballur me varfëri në rritje, duke theksuar se “në vendet demokratike varfëria pakësohet, ndërsa në diktatura dhe narkodiktatura, si Shqipëria, ajo vetëm sa shtohet”. Ai kritikoi nivelin e ulët të pagave në vend, duke theksuar se diferenca mes pagave të larta dhe të ulëta është 120-150 herë, një fenomen që nuk ndodh në asnjë vend demokratik.
Sipas tij, kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e pozitës së grave, jo vetëm ekonomikisht, por edhe shpirtërisht, duke detyruar shumë familje të largojnë fëmijët e tyre jashtë vendit për arsye ekonomike. Berisha përmendi edhe të dhënat e UNICEF, sipas të cilave 21% e familjeve shqiptare nuk arrijnë të sigurojnë tre vakte në ditë për fëmijët e tyre.
Ndër të tjera, ai kritikoi faktin që, megjithëse Edi Rama emëroi shumë gra ministre, ato “nuk kanë shtruar asnjë çështje për mbrojtjen dhe promovimin e grave dhe vajzave në Shqipëri”. Berisha rikujtoi një rast kur qeveria franceze i dha Shqipërisë një grant prej 60 milionë eurosh për mbështetjen e grave, por sipas tij, fondet u integruan në buxhet pa shkuar në destinacionin e duhur.
“Kjo është një mizogjeni e pastër”, përfundoi Berisha, duke akuzuar qeverinë Rama se nuk ka treguar asnjëherë vullnet të sinqertë për të mbështetur gratë dhe vajzat shqiptare.