Lajme

Berisha në “Global She”: PD do të luftojë murin e patriarkisë dhe pasojat e narkoshtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte i ftuar nderi në konferencën ndërkombëtare “Global She”, ku gjatë fjalës së tij u zotua se PD do të vijojë me vendosmëri luftën kundër murit të patriarkisë dhe në mbështetje të grave dhe vajzave shqiptare.

Berisha deklaroi se 12 vitet e fundit kanë qenë ndër më të vështirat për gratë dhe vajzat në Shqipëri, të cilat, sipas tij, janë përballur me pasojat e narkodiktaturës së qeverisë Rama.
Ai theksoi se në programin e PD-së, barazia gjinore ka qenë një ndër prioritetet kryesore që nga themelimi i saj.

“Muri i patriarkisë përbën, në bindjen time më të thellë, dhunuesin më kryesor të lirive dhe të drejtave të njeriut në botë,” tha Berisha, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij, diferenca në paga midis burrave dhe grave në administratë u ul ndjeshëm nga 36% në 17.8%, duke iu afruar standardeve europiane.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke akuzuar Edi Ramën për rritjen e dhunës në familje, shtimin e lojërave të fatit dhe përhapjen e drogës, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së grave dhe vajzave në vend.

“Në kundërshtim me traditën tonë shekullore, këto 10 vite kemi regjistruar numrin më të lartë të vrasjeve të grave. Kur një kryeministër, i njohur për mizogjni dhe dhunë ndaj grave, hesht për këto krime, ai në mënyrë të heshtur favorizon këtë klimë agresive,” theksoi Berisha.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ai siguroi se Partia Demokratike do të rikthehet fuqishëm në mbrojtje të barazisë gjinore dhe të drejtave të grave shqiptare.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button