Lajme

Berisha në Bulqizë: Shëndeti i minatorëve dhe renta për komunitetin, prioritet i qeverisë së ardhshme

Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët e Bulqizës, u zotua se mbrojtja e shëndetit të minatorëve dhe garantimi i përfitimeve të drejtpërdrejta për komunitetet ku zhvillohen aktivitetet minerare do të jenë në qendër të programit të qeverisë së ardhshme që ai synon të drejtojë.

Berisha theksoi se trajtimi mjekësor për minatorët do të jetë i specializuar dhe i përshtatur me natyrën e vështirë të punës në nëntokë. Ai paralajmëroi një ndryshim të rëndësishëm në menaxhimin e rentës minerare, duke premtuar se ajo do t’u mbetet komuniteteve lokale dhe jo më qeverisë qendrore.

Në kuadër të masave për përmirësimin e kushteve të jetesës, Berisha prezantoi edhe “Kartën e Konsumatorit”, një nismë që, sipas tij, do t’u ofrojë minatorëve, zjarrtarëve dhe gjeologëve ulje deri në 20% për produktet bazë.

“Ne do u vendosim ju në piedestalin që meritoni. Renta do i mbetet komunitetit lokal, për shkollat, për qendrat shëndetësore, jo për t’u grabitur nga qeveria qendrore. Karta e konsumatorit do të thotë jetë më e lirë për ata që punojnë më rëndë,” deklaroi Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për shpërfillje të problemeve të qytetarëve dhe për lidhje me oligarkinë, duke ironizuar shfaqjet publike të kreut të qeverisë me simbolika luksi si “Lamborghini i Noizit”.

“Minatorët që rraskapiten 8 orë në galeri, çfarë i hyn në punë Lamborghini i Noizit? Ata duan ilaçe, mbështetje dhe respekt,” tha Berisha, duke u bërë thirrje qytetarëve që të votojnë më 11 maj për një “ndryshim të vërtetë”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button