Berisha: Gratë dhe nënat shqiptare do jenë të parat që do ndëshkojnë Ramën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për abuzim me gratë dhe vajzat shqiptare, duke u shprehur se ato do jenë të parat që do e ndëshkojnë në zgjedhje. Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se takimet e tij janë të “elektrizuara”, ndryshe nga ato të Ramës që, sipas tij, realizohen me detyrim dhe presion institucional.
“Takimet e Edi Ramës janë të mbushura me regjistër nga qendrat e punës. Ai mbyll shkolla e universitete për të mbledhur studentet dhe vajzat. Ky është dhunim i kodit elektoral,” deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri akuzoi Ramën se po zhvillon një fushatë të targetuar ndaj grave, me qëllimin për t’i manipuluar përmes mesazheve të sipërfaqshme dhe mashtruese.
“Nuk ka nënë apo grua që pranon t’i shash burrin, vëllanë apo babain. Gratë nuk janë më objekte seksi apo figura simbolike. Ato janë shtylla të familjes dhe nuk mund të mashtrohen,” u shpreh Berisha.
Duke theksuar rolin e grave si viktima të politikave të qeverisë, Berisha shtoi se shumë nëna janë detyruar të punojnë në disa vende për të ushqyer fëmijët, ndërsa burrat dhe djemtë e tyre janë larguar në emigracion për një jetë më të mirë.
“Sot, ato që do i japin më shumë reston Edi Ramës janë pikërisht gratë shqiptare. Kam besim të plotë në moralin dhe ndershmërinë e tyre,” përfundoi ai.