Berisha garanton banorët e lumit të Vlorës: “Nuk do t’ua marrë askush ujin”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka garantuar banorët e Lumit të Vlorës se asnjë individ apo qeveri nuk do të ketë mundësinë t’ua marrë ujin, duke u përgjigjur kështu kërcënimeve për të dërguar ujin në resortet përgjatë bregdetit. Gjatë një takimi të prezantimit të kandidatëve të PD-ASHM në Qarkun e Vlorës, Berisha tha se lumi është jetike për 35 fshatra të rajonit dhe për gjithë jetësinë e bimësisë, duke theksuar se ai është një burim jete për komunitetin.
“Po si mund t’ua marrësh ti lumin atyre? 35 fshatra lumin e kanë jetë. Nga lumi buron e gjithë jeta e bimësisë, përndryshe ato janë shkëmb dhe shkretëtirë,” u shpreh Berisha.
Në fjalimin e tij, Berisha gjithashtu u shpreh për mundësinë e rilindjes të Himarës dhe nënvizoi angazhimin e PD për të rivendosur prodhimet shqiptare si më të njohurat dhe më të kërkuarat në botë. Ai garantoi gjithashtu një sistem të përmirësuar të shërbimeve shëndetësore dhe një politikë për uljen e çmimit të energjisë dhe naftës, për të lehtësuar qytetarët.
Përsa i përket ekonomisë, Berisha premtoi një program të fortë mbështetjeje për bizneset e vogla dhe fermerët, duke përfshirë subvencione pesë herë më shumë se ato të tashme për çdo rrënjë ulli dhe çdo kokë bagëti. Sipas tij, ky program ka për qëllim të krijojë mundësi konkurrimi për fermerët shqiptarë dhe të rrisë eksportet e prodhimeve vendase.
Në fund, ai garantoi se Partia Demokratike nuk do të lejojë që asnjë ujë të merret nga lumi i Vlorës, duke mbështetur të drejtat e banorëve dhe pronësinë mbi resurset natyrore të rajonit.