Berisha: Fitorja e PD është e pritur nga bota, Shqipëria ka nevojë për rrëzim të regjimit të Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në ditën e dytë të Kongresit të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Valencia, Spanjë, dha një prononcim të fortë për mediat, duke u përqendruar në situatën politike në Shqipëri dhe mbështetjen që PD ka marrë nga PPE dhe partnerët ndërkombëtarë.
Në një fjalim të tij, Berisha theksoi se Shqipëria është shndërruar në “narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve dhe përdorimin e dhunës politike ndaj opozitës, për të siguruar një mandat të katërt. Ai njoftoi se PPE po miraton një rezolutë të katërt brenda pesë muajsh që dënon qeverisjen e Ramës dhe përshkroi këtë si një thirrje për shqiptarët për të ndëshkuar regjimin aktual dhe për të hapur rrugën për rikthimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Berisha nënvizoi gjithashtu mbështetje të plotë nga PPE dhe aleatët ndërkombëtarë për PD dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Bota e pret fitoren e PD në zgjedhjet e 11 majit,” tha ai, duke shtuar se kjo fitore do të pasonte suksesin e 74 fitoreve të forcave të qendrës së djathtë në Europë.
Përsa i përket procesit të zgjedhjeve, Berisha shprehu besimin se, megjithë sfidat, fitorja e PD është e pashmangshme, duke iu referuar raportit të OSBE-së dhe mbështetjes ndërkombëtare për opozitën shqiptare.
Berisha përfundoi duke theksuar se ndëshkimi i regjimit të Ramës është një mesazh i fortë për çdo shqiptar, ndërsa PD është e gatshme të drejtojë vendin drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe të integruar në BE.